Punësimi në Gjermani, procedura e re zgjat vetëm 14 ditë Mund të aplikoni me vetëm këto dokumente

Lajme

Kushtet që duhen plotësuar për marrjen e vizës së punës kanë mbetur të njëjtat: punësimi në ndërtim ose gastronomi nuk kërkon as njohuri gjuhe e as njohuri profesionale

Kur rregullorja për Ballkanin Perëndimor hyri në fuqi, më 1 janar 2016, procedura për marrjen e vizës ishte e dyfishtë. Punëmarrësit shtronin kërkesë për vizë te përfaqësitë e Gjermanisë në vendet e tyre, dhe njëkohësisht punëdhënësit kërkonin leje paraprake te Zyra e Punësimit në vendndodhjen e kompanisë.

Kjo procedurë zgjaste me muaj dhe binte ndesh me dëshirën për punësim sa më të shpejtë. Prandaj prej nëntorit të vitit 2017 procedura është thjeshtëzuar, raporton “Deutche Welle”.

“Miratimi paraprak nga Zyra e Punësimit nuk është më i nevojshëm”, sqaron për “Deutsche Welle-n”, Sascha Andreas Kienzle nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë. “Tani mjafton që kandidati të paraqesë në Ambasadën e Gjermanisë të gjitha dokumentet e nevojshme, duke përfshirë edhe vërtetimin nga punëdhënësi”, përcjell albinfo.ch.

Pasi të jenë dorëzuar dokumentet në konsullatë, kontrollohen nga autoritetet përkatëse në Gjermani. “Nëse plotësohen të gjitha kushtet, atëherë jepet viza”, thotë Kienzle më tej.

Me kontrollin e dokumenteve, krahas Ministrisë së Punëve të Jashtme, pjesë e së cilës janë ambasadat, merren edhe Ministria e Brendshme dhe Ministria Federale e Punës dhe e Çështjeve Sociale, nëpërmjet Agjencisë Federale të Punësimit.

“Kur shtrohet kërkesa për vizë pune, ne kontrollojmë se a ka ndonjë shtetas gjerman ose evropian me të njëjtin kualifikim që ka aplikuar për të njëjtin vend”, thotë për DW, Paul Ebsen, zëdhënës i Agjencisë Federale të Punësimit.

Prandaj dokumentet duhet të dërgohen në zyrën e punës të qytetit ku ndodhet vendi i punës dhe, pasi të jenë kontrolluar, kthehen sërish. Zyra e punës kontrollon vetëm formalisht, se a ka ndonjë kandidat të përshtatshëm me shtetësi gjermane ose nga vendet e BE-së për këtë vend. Kjo nuk zgjat më shumë se 14 ditë, siguron Paul Ebsen. Nëse marrja e një vize zgjat më shumë, kjo varet nga rrethanat individuale të aplikuesit.

Kushtet që duhen plotësuar për marrjen e vizës së punës kanë mbetur të njëjtat: punësimi në ndërtim ose gastronomi nuk kërkon as njohuri gjuhe e as njohuri profesionale.

Vetëm për infermierët ose kujdestaret mjekësore kërkohen njohuri gjuhe dhe dëshmi licencimi a diplomat e shkollës profesionale. Kushtet përshkruhen në mënyrë të hollësishme në fletushkat informative të ambasadave.

Të përjashtuar nga ky rregull janë edhe azilkëruesit që jetojnë në Gjermani. Ata duhet të kthehen në vendet e tyre për të hyrë sërish si imigrantë në hapësirën Schengen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *