Franca dhe Gjermania marrin vendimin me të madh historik që nga Lufta e Dytë Botërore

Lajme

Franca dhe Gjermania do të krijojnë politika të përbashkëta për mbrojtjen, punët e jashtme dhe ekonominë, në një binjakëzim të paprecedentë, që shihet si prototipi për të ardhmen e BE’së.

Angela Merkel dhe presidenti Makron priten të nënshkruajnë një marrëveshje për t’u hapur rrugë fqinjëve që të krijojnë një front të përbashkët diplomatik dhe të veprojnë bashkërisht në misionet paqeruajtëse.

 

Qarqet vendore në kufirin midis Francës dhe Gjermanisë do të nxiten që të krijojnë “eurodistrikte”, me rrjete të përbashkëta ujësjellësi, elektriciteti dhe transporti publik. Berlini dhe Parisi do të ofrojnë subvencione për spitale të përbashkëta, skema të përbashkëta biznesi dhe mjedisi. Disa zyrtarë e shohin këtë eksperiment si prova për integrimin e mëtejshëm të BE’së në të ardhmen.

Të dyja vendet do të lobojnë që Gjermania të marrë një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, përkrah Francës, SHBA-ve, Kinës, Rusië dhe Britanisë, aleatëve fitimtarë të Luftës së Dytë Botërore.

Franca dhe Gjermania do të flasin njëzëri edhe në Bruksel, duke krijuar pozicione të përbashkëta përpara samiteve të rëndësishme të BE-së, në mënyrë që blloku evropian të jetë një fuqi edhe më e vendosur në arenën botërore. Marrëveshja pritet të përcjellë mesazhin se Franca dhe Gjermania do të vazhdojnë të mbështesin fort vlerat e multilateralizmit, në një kohë kur rendi liberal botëror duket se është vënë nën kërcënim. Makron dhe Merkel kanë shprehur shqetësimet e tyre për rritjen e populizmit dhe nacionalizmit, ndërkohë që Europa përballet me probleme si ndryshimet e klimës dhe emigracioni në masë.

Merkel deklaroi se Gjermania do të çohej e të luftonte për multilaterlaizmin, dhe se ishte gati të merrte më shumë përgjegjësi në botë. Një vit më parë, diplomatët nga këto vende nisën të negociojnë një marrëveshje që ndjek frymën e traktatit të vitit 1963 në Elize, që bëri të lihen mënjanë armiqësitë shekullore, e që lejoi të krijohet aleanca franko-gjermane që ka mbizotëruar projektin e BE’së, që nga ajo kohë. Dokumenti do të nënshkruhet më 22 janar, në Aahen, një qytet i lashtë gjerman me llixha, që ndodhet në kufirin me Belgjikën dhe Holandën. Kjo marrëveshje pritet të ratifikohet nga dy parlamentet, në të njëjtën kohë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *