Ndalimi i makinave të përdorura për më shumë se 10 vjet, ja ç’do të ndodhë me çmimet

Lajme

Ndalimi i importit të automjeteve më të vjetra sesa 10 vjet, duke filluar nga 2 dhjetori, ka ndikuar ndjeshëm në frenimin e tyre. Të dhënat e publikuara nga Doganat, tregojnë se në dhjetor 2018 u importuan vetëm 1,749 automjete të përdorura.

Kjo është një shifër shumë më e ulët se mesatarja mujore 3,000-5,000 automjete, që janë importuar mesatarisht në periudhën 2012-2018.

Të dhënat tregojnë se në nëntor, tregtarët nxituan të importonin automjete të përdorura tej nevojave të tregut, teksa importi i tyre arriti në 7,731, nivel rekord. Edhe në tetor, kur ishte dhënë tashmë lajmi për masën që synonte uljen e ndotjes në mjedis, u importuan gati 5 mijë automjete të vjetra.

Sipas të dhënave të përpunuara nga revista “Monitor”, gjatë gjithë vitit 2018 janë importuar rreth 50 mijë mjete të përdorura, me një rritje prej 11% në raport me vitin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë që nga 2012-2013, kohë kur u konstatua rritje e importit të mjeteve të përdorura, pas heqjes së detyrimeve doganore.

Nga 2 dhjetori 2018, ka hyrë në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave, që ndalon importin e automjeteve që janë të përdorura më shumë se 10 vjet, duke ndikuar mesatarisht 80% të totalit të importeve vjetore.
Mjetet e reja që do të hyjnë duhet të përmbushin normën Euro 5, si për makinat ashtu dhe kamionët, ndërsa autoveturat e përdorura, që përmbushin normën Euro 4, duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.

Për gjithë vitin 2018, importet e automjeteve të reja arritën në 2,886, me një rritje minimale prej 30 automjetesh në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas të dhënave të Doganave, duke përbërë vetëm 5.5% të totalit të mjeteve që hynë në një vit.

Automjetet stok plotësojnë kërkesën të paktën edhe për një vit

Në fund të shtatorit 2018 kishte rreth 56 mijë automjete stok në vend, që llogaritet si diferenca mes mjeteve që janë importuar dhe atyre që janë regjistruar, sipas të dhënave nga Doganat dhe Drejtoria e Transportit Rrugor, të përpunuara nga QKM. Këtyre u shtohen dhe të paktën rreth 10 mijë mjete të importuara në tetor-nëntor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *